Personat që vuajnë nga migrena me aurë mund të kenë rrezik më të lartë për goditje ishemike në tru, sidomos në moshën e mesme dhe të shtyrë, tregon një studim i ri i publikuar në revistën “Neurology Open Access”.
Studiuesit analizuan mbi 11 mijë persona dhe zbuluan se migrena e shoqëruar me simptoma neurologjike – si turbullim i shikimit, drita vezulluese apo mpirje – lidhej me rritje të ndjeshme të rrezikut për insult në tru.
Sipas rezultateve, personat me migrenë me aurë kishin 73 për qind më shumë gjasa të pësonin goditje në tru krahasuar me ata që nuk kishin migrenë.
Ndërkohë, tek migrena pa aurë nuk u vërejt rritje e rrezikut.
Ekspertët theksojnë se studimi nuk dëshmon se migrena shkakton drejtpërdrejt insultin, por paralajmëron për një lidhje të rëndësishme që kërkon kujdes më të madh ndaj faktorëve të tjerë të rrezikut, si tensioni i lartë, duhanpirja dhe diabeti.


