Numri i personave që jetojnë me çrregullime të shëndetit mendor në nivel global është pothuajse dyfishuar gjatë tri dekadave të fundit, kryesisht si pasojë e rritjes së ankthit dhe depresionit, tregon një studim i ri i publikuar në revistën mjekësore The Lancet.
Sipas analizës së realizuar në kuadër të studimit global mbi barrën e sëmundjeve për vitin 2023, rreth 1.2 miliardë njerëz në botë jetojnë me një problem të shëndetit mendor.
Krahasuar me vitin 1990, kjo paraqet një rritje prej 95 për qind. Ndërkohë, rastet e depresionit të madh janë rritur me 131 për qind, ndërsa çrregullimet e ankthit me 158 për qind, duke u bërë dy problemet më të përhapura të shëndetit mendor në botë.
Autorët e studimit paralajmërojnë se sistemet shëndetësore globale nuk po arrijnë të përballojnë rritjen e vazhdueshme të rasteve.
Sipas raportit, çrregullimet mendore po shkaktojnë jo vetëm vuajtje personale, por edhe pasoja të mëdha sociale dhe ekonomike, përfshirë uljen e produktivitetit, mungesën në punë dhe rritjen e presionit mbi sistemet shëndetësore dhe sociale.
Studimi tregon se gratë janë më të prekura nga depresioni dhe ankthi krahasuar me burrat, ndërsa te meshkujt dominojnë më shumë çrregullimet neurozhvillimore dhe të sjelljes, si ADHD dhe autizmi.
Barrën më të lartë të problemeve të shëndetit mendor e mbajnë adoleshentët e moshës 15 deri në 19 vjeç, çka sipas studiuesve tregon nevojën për ndërhyrje dhe mbështetje më të hershme për të rinjtë.
Ndër faktorët kryesorë që lidhen me rritjen e problemeve mendore përmenden dhuna seksuale në fëmijëri, bullizmi, dhuna në familje, pabarazitë sociale, varfëria, luftërat, pandemitë dhe ndryshimet klimatike.
Autorët theksojnë se zgjerimi i shërbimeve të shëndetit mendor nuk ka ndjekur ritmin e rritjes së nevojave globale, duke paralajmëruar për një krizë gjithnjë e më të madhe të shëndetit mendor në mbarë botën.




