Tre vullnetarë të Kryqit të Kuq kanë humbur jetën nga raste të dyshuara me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa shpërthimi i virusit në vend po vazhdon të përhapet me shpejtësi.
Sipas njoftimit të Kryqit të Kuq, viktimat janë Alikana Udumusi Augustin, Sezabo Katanabo dhe Ajiko Chandiru Viviane, të cilët dyshohet se janë infektuar gjatë menaxhimit të trupave të pajetë në provincën Ituri, epiqendra aktuale e shpërthimit.
Organizata bëri të ditur se vullnetarët ishin angazhuar në një mision që nuk kishte lidhje direkte me Ebola-n, ndërsa në atë kohë komuniteti ende nuk ishte i vetëdijshëm për praninë e virusit dhe shpërthimi nuk ishte identifikuar zyrtarisht.
“Këta vullnetarë humbën jetën duke i shërbyer komunitetit të tyre me guxim dhe humanizëm”, thuhet në deklaratën e Kryqit të Kuq.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, reagoi pas lajmit duke deklaruar se ata “paguan çmimin më të lartë në vijën e detyrës”.
Ai theksoi se identifikimi i hershëm i rasteve dhe trajtimi në kohë janë thelbësore për kontrollimin e epidemisë, ndërsa varrimet e sigurta mbeten faktor kyç për ndalimin e përhapjes së virusit.
Sipas të dhënave të fundit të OBSH-së, deri më tani në Republikën Demokratike të Kongos janë konfirmuar 82 raste me Ebola dhe shtatë viktima të konfirmuara. Megjithatë, autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se numri real i rasteve mund të jetë shumë më i lartë, pasi raportohen rreth 750 raste të dyshuara dhe mbi 170 viktima të dyshuara.
Ministria e Komunikimit dhe Mediave në Kongo ka bërë të ditur se numri i vdekjeve të dyshuara kishte arritur në 204 deri të premten.
Ndërkohë, virusi është përhapur edhe në Ugandën fqinje. Autoritetet shëndetësore atje raportuan edhe tre raste të reja të konfirmuara të shtunën, duke e çuar në pesë numrin total të të infektuarve në vend.
OBSH-ja e ka ngritur nivelin e rrezikut publik nga “i lartë” në “shumë i lartë” në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa vlerëson se rreziku global aktualisht mbetet i ulët.
Ebola është një sëmundje e rëndë dhe shpesh fatale, e identifikuar për herë të parë në vitin 1976.
Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, dobësi, diarre dhe të vjella.




