Sindroma kardiovaskulare–renale–metabolike (CKM) është një gjendje e përcaktuar së fundmi që përfshin sëmundjet e zemrës, sëmundjet e veshkave, obezitetin dhe diabetin e tipit 2.
Ky koncept i ri i mbështetur nga organizata të mëdha si Shoqata Amerikane e Zemrës, pritet të përdoret gjithnjë e më shumë nga mjekët për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut kardiovaskular, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri, i publikuar në “Journal of the American Heart Association”, ka zbuluar se aktiviteti fizik i lehtë, si ecja apo kryerja e punëve të shtëpisë, mund të ulë rrezikun e vdekjes tek personat në fazat 2, 3 dhe 4 të sindromës CKM.
Sipas autorit kryesor të studimit, Joseph Sartini nga Universiteti Johns Hopkins, kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi personat me faza më të avancuara të CKM kanë rrezik më të lartë për pasoja serioze shëndetësore, përfshirë vdekjen e parakohshme.
Diagnoza e sindromës CKM bazohet në praninë e disa faktorëve të rrezikut, si inflamacioni kronik, niveli i lartë i sheqerit dhe kolesterolit në gjak, hipertensioni, funksioni i ulur i veshkave dhe obeziteti, veçanërisht ai abdominal.
Në varësi të këtyre faktorëve, individët klasifikohen në katër faza, duke filluar nga shenjat e hershme si mbipesha ose prediabeti, deri te sëmundjet e avancuara kardiovaskulare si infarkti apo goditja në tru.
Studiuesit analizuan të dhëna nga studimi kombëtar amerikan NHANES (2003–2006), që përfshinte rreth 7,200 të rritur.
Ata vunë re se ndonëse aktiviteti fizik intensiv mund të jetë i vështirë për këta pacientë, aktiviteti i lehtë është i arritshëm për shumicën, nuk kërkon pajisje speciale apo palestër dhe mund të sjellë përfitime të rëndësishme afatgjata për shëndetin. /Gazeta Shneta/


