Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se qeset me nikotinë po promovohen në mënyrë “agresive” tek të rinjtë dhe fëmijët, duke rritur rrezikun e varësisë nga nikotina në moshë të hershme. Sipas një raporti të ri të OBSH-së, tregu global i këtyre produkteve po rritet me ritme të shpejta, ndërsa rregulloret nuk po arrijnë të ndjekin zhvillimin e tyre.
OBSH paralajmëron se këto produkte mund të krijojnë varësi të fortë dhe kërkon rregullim të plotë për të gjitha produktet që lidhen me nikotinën, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas raportit, shitjet globale të qeseve me nikotinë arritën mbi 23 miliardë njësi në vitin 2024, një rritje prej më shumë se 50% krahasuar me vitin paraprak.
Produktet janë veçanërisht të përhapura në SHBA, por po fitojnë popullaritet edhe në vende evropiane si Gjermania, Polonia dhe Suedia.
OBSH thekson se kompanitë po përdorin rrjetet sociale, influencerë dhe reklama të fshehta për të tërhequr të rinjtë. Një tjetër shqetësim janë aromat e shumta si fruta, mente, karamele apo çamçakëz, të cilat konsiderohen shumë tërheqëse për fëmijët dhe adoleshentët.
Raporti kërkon masa më të rrepta, përfshirë ndalimin e aromave, reklamave dhe shitjeve online, si dhe vendosjen e kontrolleve të forta të moshës për të kufizuar aksesin e të rinjve në këto produkte. /Gazeta Shneta/




