Tre vullnetarë të Kryqit të Kuq në Republikën Demokratike të Kongos kanë humbur jetën nga raste të dyshuara të Ebolës, ndërsa shpërthimi i virusit vazhdon të përhapet në provincën Ituri, epiqendra e epidemisë në vend.
Organizata bëri të ditur se viktimat, dyshohet se u infektuan gjatë trajtimit të trupave të pajetë në një mision që nuk kishte lidhje me Ebolën, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas deklaratës së Kryqit të Kuq, në kohën kur u krye ndërhyrja, komuniteti ende nuk ishte në dijeni të shpërthimit të virusit dhe autoritetet nuk e kishin identifikuar ende epideminë.
Organizata theksoi se vullnetarët humbën jetën duke shërbyer me guxim dhe humanizëm për komunitetet e tyre.
Kjo epidemi po shkaktohet nga një variant i rrallë i virusit Ebola. Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se vullnetarët “paguan çmimin më të lartë në krye të detyrës”. Ai theksoi se identifikimi i hershëm i rasteve, trajtimi në kohë dhe varrimet e sigurta janë thelbësore për të ndalur përhapjen e virusit.
Deri tani janë konfirmuar 82 raste dhe shtatë viktima në Republikën Demokratike të Kongos, megjithëse autoritetet besojnë se numri real mund të jetë shumë më i lartë.
Shpërthimi është përhapur edhe në Ugandën fqinje, ku janë raportuar pesë raste të konfirmuara. OBSH ka ngritur nivelin e rrezikut publik nga “i lartë” në “shumë i lartë” në Kongon lindore. /Gazeta Shneta/



