Ndryshimet klimatike mund ta shndërrojnë Europa në një zonë me rrezik të lartë për përhapjen e virusit chikungunya, pasi temperaturat më të larta po favorizojnë zgjerimin e habitateve të mushkonjave bartëse të virusit.
Kështu thuhet në një studim të ri të publikuar në revistën shkencore Frontiers in Cellular and Infection Microbiology, i realizuar nga studiues në Kina.
Sipas hulumtimit, aktualisht 139 shtete dhe rajone në botë konsiderohen zona rreziku për virusin chikungunya, një sëmundje virale që transmetohet nga mushkonjat.
Studiuesit paralajmërojnë se me rritjen e temperaturave, virusi mund të përhapet drejt rajoneve me klimë më të freskët, përfshirë Europën Qendrore, verilindjen e Amerikës së Veriut dhe Azinë Lindore.
Virusi chikungunya transmetohet kryesisht nga mushkonja “Aedes aegypti”, e njohur si mushkonja e etheve të verdha, por shkencëtarët kanë vërejtur se ndryshimet klimatike po favorizojnë edhe përhapjen e mushkonjës tigër aziatike, e cila toleron më mirë temperaturat më të ulëta.
Sipas studiuesit Yang Wu, ngrohja globale mund të ndihmojë këtë specie të vendoset në zona që më parë ishin shumë të ftohta për mbijetesën e saj.
Ekspertët theksojnë se temperaturat më të larta gjithashtu përshpejtojnë zhvillimin e virusit brenda mushkonjës, duke rritur rrezikun e shpërthimeve epidemike.
Studimi tregon se më shumë se tre të katërtat e popullsisë botërore tashmë jetojnë në zona potencialisht të rrezikuara nga chikungunya, ndërsa transmetimi lokal i virusit është raportuar në 114 vende.
Sipas të dhënave të Organizatës Panamerikane të Shëndetësisë, vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar mbi 502 mijë raste me chikungunya dhe 186 viktima në 41 shtete dhe territore.
Studiuesit u bëjnë thirrje sistemeve shëndetësore që të përgatiten me kohë përmes monitorimit të mushkonjave, trajnimit të stafit mjekësor dhe forcimit të planeve të reagimit ndaj shpërthimeve të mundshme.
Ata veçojnë si vende me rrezik të shtuar deri në vitin 2040 Britania e Madhe, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Japonia.


