Greqia është vlerësuar si një vend model në luftën kundër obezitetit tek fëmijët, pas rezultateve të arritura nga programi kombëtar i realizuar në bashkëpunim me UNICEF dhe Ministrinë greke të Shëndetësisë.
Rezultatet e programit janë prezantuar në përmbylljen zyrtare të nismës kombëtare kundër obezitetit infantil, e cila u zhvillua në kuadër të planit kombëtar “Greqia 2.0” me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.
Sipas të dhënave të publikuara, programi ka ndikuar ndjeshëm në ndryshimin e zakoneve ushqimore dhe rritjen e aktivitetit fizik tek fëmijët dhe familjet greke, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Madje, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar Greqinë si “vend model”, duke vlerësuar rolin e saj udhëheqës në politikat kundër obezitetit në Europën Jugore.
Zëvendësministrja greke e Shëndetësisë, Irini Agapidaki, deklaroi se vendi kaloi nga mohimi i problemit në veprim konkret.
Sipas saj, mbi 75 për qind e prindërve janë informuar ose janë përfshirë drejtpërdrejt në program.
Programi ka përfshirë këshillime të personalizuara ushqimore për mbi 1 mijë e 900 fëmijë me mbipeshë ose obezitet, ku tetë në dhjetë prej tyre kanë humbur peshë dhe kanë arritur indeks normal trupor.
Po ashtu, katër në dhjetë fëmijë obezë që kishin probleme shëndetësore si diabeti, hipertensioni apo kolesteroli i lartë kanë përmirësuar gjendjen shëndetësore dhe kanë reduktuar përdorimin e barnave.
Në kuadër të programit janë trajnuar mbi 1 mijë profesionistë shëndetësorë dhe pediatër, ndërsa nëpër shkolla janë shpërndarë mbi 130 mijë vakte të shëndetshme dhe fruta të freskëta.
Mbi 135 mijë fëmijë kanë marrë pjesë në aktivitete sportive falas, ndërsa pjesëmarrja në sporte të organizuara është rritur nga 52.5 për qind në 60 për qind.
Programi ka përfshirë gjithashtu seminare në shkolla, aktivitete sportive dhe edukim ushqimor në të gjithë vendin, përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta.
Ekspertët vlerësojnë se nëse këto struktura monitorimi dhe menaxhimi vazhdojnë të funksionojnë, normat e obezitetit tek fëmijët në Greqi do të vazhdojnë të bien deri në vitin 2040.




