Heqja dorë nga duhani mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të trurit dhe të ulë rrezikun për zhvillimin e demencës në të ardhmen, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën “Neurology”.
Studiuesit ndoqën për rreth 10 vite afro 33 mijë të rritur amerikanë të moshës së mesme dhe të tretë, të cilët nuk kishin shenja të demencës në fillim të studimit.
Gjatë kësaj periudhe, pjesëmarrësit raportuan rregullisht mbi zakonet e tyre të pirjes së duhanit, peshën trupore dhe gjendjen shëndetësore, ndërsa iu nënshtruan edhe testeve të kujtesës dhe aftësive mendore, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se personat që kishin lënë duhanin kishin 16% më pak rrezik për të zhvilluar demencë krahasuar me ata që vazhdonin të pinin duhan.
Sipas studiuesve, përfitimet rriteshin me kalimin e kohës, deri në atë pikë sa personat që kishin hequr dorë nga duhani prej rreth shtatë vitesh kishin pothuajse të njëjtin rrezik si ata që nuk kishin pirë kurrë duhan.
Ekspertët theksojnë se lënia e duhanit mbetet një hap i rëndësishëm për shëndetin afatgjatë të trurit. /Gazeta Shneta/


