Një studim i ri në Spanjë ka zbuluar se pasiguria në punë, ngarkesa e lartë dhe kushtet e vështira të punës janë arsyet kryesore pse shumë infermierë po mendojnë të largohen nga profesioni. Sipas hulumtimit, pothuajse katër në dhjetë infermierë planifikojnë të braktisin profesionin brenda dhjetë viteve të ardhshme.
Studimi, i realizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Shëndetësor Carlos III, përfshiu mbi 20 mijë profesionistë të infermierisë dhe konsiderohet më i madhi i kryer ndonjëherë në Spanjë në këtë fushë.
Rezultatet tregojnë se 39.6% e infermierëve kanë ndërmend të largohen nga profesioni, ndërsa 17% mendojnë ta bëjnë këtë brenda dy viteve të ardhshme, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Një nga faktorët kryesorë është mungesa e stabilitetit në punë. Kontratat e përkohshme rrisin me 33% mundësinë e largimit nga profesioni, ndërsa perceptimi për mungesë sigurie dhe cilësi të dobët të kujdesit ndaj pacientëve e rrit këtë rrezik edhe më shumë.
Shumë infermierë ankohen gjithashtu për mungesë vlerësimi profesional dhe paga apo kushte pune që nuk përputhen me përgjegjësitë e tyre.
Studimi evidenton edhe dallime të mëdha rajonale në Spanjë, ku zona si Madridi dhe Ishujt Kanarie kanë nivele shumë më të larta të largimeve.
Problematik mbetet edhe fakti që shumë infermierë specialistë nuk punojnë në fushën për të cilën janë trajnuar.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo krizë nuk prek vetëm Spanjën, por po përhapet në të gjithë Evropën, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e sistemeve shëndetësore në të ardhmen. /Gazeta Shneta/




