Studiuesit e shëndetit sugjerojnë se koha e ditës kur ushtroheni mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet që merrni nga aktiviteti fizik.
Sipas një studimi të publikuar në revistën “Open Heart”, njerëzit që ushtrohen në përputhje me ritmin e tyre natyral biologjik përfitojnë më shumë për shëndetin e zemrës, gjumin dhe metabolizmin, shkruan BBC Health transmeton Gazeta Shneta.
Studimi përfshiu 134 persona në të 40-at dhe 50-at nga Pakistani, të cilët kishin të paktën një faktor rreziku për sëmundje të zemrës, si tensioni i lartë apo mbipesha.
Pjesëmarrësit ushtruan ecje të shpejtë në pistë për 40 minuta në ditë, pesë herë në javë, për tre muaj.
Sipas ritmit të tyre natyral, disa u klasifikuan si persona që funksionojnë më mirë në mëngjes, ndërsa të tjerët si “natare”, që kanë më shumë energji në mbrëmje.
Ata që merreshin me aktivitet fizik në orarin që përputhej me orën e tyre biologjike shfaqën përmirësime më të mëdha në tensionin e gjakut, kapacitetin aerobik, cilësinë e gjumit dhe nivelin e sheqerit në gjak.
Ekspertët shpjegojnë se ora e brendshme e trupit ndikon në nivelet e energjisë, hormonet dhe ciklin gjumë-zgjim, gjë që mund të ndikojë edhe në performancën gjatë ushtrimeve.
Megjithatë, specialistët theksojnë se faktori më i rëndësishëm mbetet vazhdimësia në aktivitet fizik.
Ushtrimet e rregullta, qoftë në mëngjes apo në mbrëmje, sjellin përfitime të mëdha për shëndetin.
Aktualisht, stërvitjet e forcës po bëhen gjithnjë e më të njohura në të gjitha grupmoshat.
Ushtrime si “plank” dhe mbështetja në mur rekomandohen si mënyra efektive për forcimin e muskujve dhe uljen e tensionit të gjakut. /Gazeta Shneta/


