Ruajtja e një niveli të mirë të aktivitetit fizik mund të jetë një nga faktorët më të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të trurit dhe mirëqenies mendore në afat të gjatë.
Sipas rezultateve, personat që kanë formë më të mirë fizike dhe kapacitet më të lartë kardiorespirator paraqesin rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës, depresionit dhe çrregullimeve të tjera mendore, shkruan Nature Mental Health,transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit theksojnë se ky efekt mbrojtës vërehet në mënyrë konsistente në studime të ndryshme, duke sugjeruar një lidhje të fortë mes aktivitetit fizik dhe shëndetit të trurit.
Ekspertët shpjegojnë se aktiviteti fizik ndikon pozitivisht në disa mekanizma biologjikë, përfshirë përmirësimin e qarkullimit të gjakut në tru, reduktimin e inflamacionit kronik dhe mbështetjen e proceseve që lidhen me ruajtjen e kujtesës dhe funksioneve njohëse.
Gjithashtu, ushtrimet e rregullta si ecja e shpejtë, çiklizmi dhe noti konsiderohen ndër mënyrat më të thjeshta dhe efektive për të ruajtur shëndetin mendor dhe fizik gjatë plakjes.
Studiuesit rekomandojnë që aktiviteti fizik të jetë pjesë e përditshme e stilit të jetesës, jo vetëm si masë për mirëqenie fizike, por edhe si strategji parandaluese ndaj sëmundjeve neurologjike. /Gazeta Shneta/


