Në Ditën Botërore pa duhan, e cila shënohet çdo vit më 31 maj, ekspertët e shëndetit publik po japin alarmin për rritjen e përdorimit të cigareve elektronike, produkteve me nikotinë sintetike dhe formave të tjera të reja të konsumit të nikotinës, veçanërisht tek adoleshentët.
Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të paktën 15 milionë adoleshentë të moshës 13–15 vjeç përdorin cigare elektronike në mbarë botën, ndërsa në vendet ku ekzistojnë të dhëna të disponueshme, të rinjtë janë mesatarisht nëntë herë më të prirur të përdorin vape sesa të rriturit, transmeton Gazeta Shneta.
Gjithashtu, rreth 40 milionë adoleshentë në të njëjtën grupmoshë përdorin produkte të duhanit.
Tema e sivjetme e Ditës Botërore Pa Duhan është “Zbuloni mashtrimin – kundër varësisë nga nikotina dhe duhani”, duke vënë në qendër të vëmendjes mënyrat se si industria e duhanit po i përshtat produktet dhe marketingun e saj për të tërhequr brezat e rinj.
Ekspertët thonë se kompanitë po përdorin aroma tërheqëse, paketim modern, dizajne teknologjike dhe promovim agresiv në rrjetet sociale për t’i bërë produktet me nikotinë më joshëse për të rinjtë.
Sipas OBSH-së, nikotina sintetike, kripërat e nikotinës dhe produktet e reja po paraqiten si inovacione moderne, ndërsa në realitet mund të rrisin potencialin e varësisë.
Një tjetër shqetësim janë edhe qeset me nikotinë, të cilat vendosen nën buzë dhe po fitojnë popullaritet në shumë vende. OBSH-ja ka paralajmëruar se këto produkte po reklamohen në mënyra që tërheqin të rinjtë, përmes influencuesve, aktiviteteve sportive dhe marketingut digjital.
Studiuesit theksojnë se ekspozimi ndaj nikotinës gjatë adoleshencës mund të ndikojë në zhvillimin e trurit, kujtesën, përqendrimin dhe kontrollin e impulseve. Një studim i ri neuroshkencor ka treguar se edhe përdorimi eksperimental i duhanit tek adoleshentët lidhet me ndryshime në mekanizmat e trurit që lidhen me dëshirën për nikotinë dhe zhvillimin e varësisë.
Organizatat shëndetësore po kërkojnë ndalimin e aromave tërheqëse, kufizimin e reklamave dhe forcimin e rregullave për produktet me nikotinë. Ata theksojnë se parandalimi i varësisë tek të rinjtë mbetet një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik në vitin 2026. /Gazeta Shneta/


