Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur themelimin e Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në kuadër të një mbledhjeje elektronike të mbajtur më 1 qershor 2026.
Ky vendim vjen pas miratimit në Kuvend të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili u votua më 23 prill 2026 me mbështetjen e 80 deputetëve.
Edhe pse ligji u kritikua për mangësi të caktuara, ai mori përkrahje të gjerë, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Më herët, më 3 prill 2026, Qeveria kishte miratuar për herë të dytë Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, pasi versioni paraprak ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në fillim të vitit.
Në të njëjtën mbledhje, ekzekutivi në detyrë miratoi edhe kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e 400 mijë eurove për zbatimin e marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Po ashtu, u aprovua edhe ndarja e 153 mijë eurove për mbështetjen e tri ngjarjeve në kuadër të iniciativës “OctoberTech”, e cila synon promovimin e teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.
Qeveria e Kosovës po ushtron kompetencat e saj në cilësinë e qeverisë në detyrë që nga 5 marsi 2026, kur u shpërnda Kuvendi. Ndërkohë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar të mbahen më 7 qershor 2026.




