Një grua nga periferia e Çikagos ka arritur të sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë pasi iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një tumori në tru, i cili po i shkaktonte probleme hormonale dhe infertilitet.
Lisa Fasone filloi të përballej me shqetësime shëndetësore pas lindjes së vajzës së saj të parë në vitin 2022.
Ajo raportoi se cikli menstrual nuk iu rikthye pas përfundimit të gjidhënies, ndërsa vazhdoi të kishte prodhim qumështi, dhimbje koke, lodhje, djersitje gjatë natës dhe çrregullime të tjera hormonale, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
Analizat laboratorike treguan nivele të larta të prolaktinës, hormon që prodhohet nga gjëndra e hipofizës. Edhe pse fillimisht mori trajtim me barna, simptomat u rikthyen.
Një ekzaminim me rezonancë magnetike zbuloi më pas një tumor në hipofizë, në bazën e trurit.
Mjekët diagnostikuan prolaktinomë, një tumor i rrallë që shkakton prodhim të tepërt të prolaktinës dhe mund të vështirësojë shtatzëninë.
Pas trajtimeve konservative pa rezultat të qëndrueshëm, Fasone vendosi t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale.
Operacioni u krye nga neurokirurgu Stephen Magill në Northwestern Medicine në Çikago.
Sipas mjekëve, tumori u hoq plotësisht dhe nivelet e prolaktinës u normalizuan menjëherë pas operacionit. Kjo i mundësoi pacientes të mbetej shtatzënë dhe të sillte në jetë fëmijën e saj të dytë.
Specialistët theksojnë se prolaktinoma është një tumor zakonisht beninj i hipofizës, por mund të ndikojë ndjeshëm në fertilitet dhe në ekuilibrin hormonal. Ata rekomandojnë që personat që përballen me çrregullime të vazhdueshme hormonale të kërkojnë vlerësim mjekësor të specializuar për diagnostikim dhe trajtim të hershëm.


