Një studim i ri sugjeron se qëndrimi ulur për periudha të gjata gjatë shtatzënisë mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e komplikimeve si tensioni i lartë i shtatzënisë, preeklampsia, diabeti gestacional dhe lindja e parakohshme.
Studiuesit ndoqën 470 gra shtatzëna gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Pjesëmarrëset përdorën pajisje që matnin kohën e kaluar ulur dhe nivelin e aktivitetit fizik gjatë ditës.
Rezultatet treguan se gratë që qëndronin ulur më shumë se 10 orë në ditë kishin dy herë më shumë gjasa të përjetonin komplikime krahasuar me ato që kalonin rreth shtatë orë ulur, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autorëve të studimit, rreziku më i lartë ishte më i madh nga sa pritej. Ata theksojnë se komplikimet si preeklampsia dhe hipertensioni i lidhur me shtatzëninë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në dekadat e fundit dhe përbëjnë një shqetësim serioz për shëndetin publik.
Megjithëse aktiviteti fizik më intensiv dihet se ndihmon në uljen e rrezikut të komplikimeve, jo të gjitha gratë shtatzëna mund të ushtrohen rregullisht për shkak të lodhjes, të përzierave, dhimbjeve muskulore ose ndryshimeve fizike që sjell shtatzënia.
Për këtë arsye, studiuesit rekomandojnë një qasje më të thjeshtë: uljen e kohës së kaluar ulur dhe shtimin e lëvizjes gjatë ditës.
Edhe ecjet e shkurtra, ngritja periodike nga karrigia ose lëvizjet e lehta mund të kenë përfitime të rëndësishme për shëndetin e nënës dhe të foshnjës.
Ekspertët këshillojnë që gratë shtatzëna të bëjnë pushime të rregullta nga qëndrimi ulur, të dëgjojnë sinjalet e trupit dhe të përpiqen të lëvizin sa herë që ndjejnë parehati ose lodhje nga qëndrimi i zgjatur në një pozicion. /Gazeta Shneta/


