Për dekada me radhë, paralajmërimet për konsumimin e alkoolit janë përqendruar pothuajse ekskluzivisht te gratë shtatzëna. Megjithatë, studime të reja sugjerojnë se edhe alkooli i konsumuar nga babai para konceptimit mund të ndikojë në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës.
Hulumtimet e fundit sipas BBC, kanë zbuluar se fëmijët e baballarëve që konsumojnë alkool para shtatzënisë kanë rrezik më të lartë për defekte të lindura, përfshirë çarjen e qiellzës, anomalitë e zemrës dhe probleme të traktit tretës. Një studim i vitit 2021 në Kinë, ku u analizuan më shumë se 500 mijë çifte, tregoi se këto rreziqe rriteshin edhe kur nëna nuk konsumonte alkool, transmeton Gazeta Shneta.
Një tjetër studim zbuloi se foshnjat kishin pothuajse trefish më shumë gjasa të lindnin me defekte të zemrës nëse babai kishte konsumuar më shumë se 50 mililitra alkool në ditë gjatë tre muajve para konceptimit.
Shkencëtarët besojnë se ndikimi lidhet me ndryshime epigjenetike në spermë. Alkooli mund të ndryshojë mënyrën se si aktivizohen ose çaktivizohen disa gjene, pa ndryshuar vetë ADN-në. Këto ndryshime mund të transmetohen te embrioni dhe të ndikojnë në zhvillimin e tij.
Eksperimentet laboratorike me minj kanë treguar se pasardhësit e meshkujve të ekspozuar ndaj alkoolit kishin rritje më të dobët, ndryshime në strukturën e trurit, probleme motorike dhe vështirësi në të nxënë. Në disa raste, efektet ishin më të theksuara kur të dy prindërit kishin konsumuar alkool.
Megjithëse studiuesit theksojnë se nevojiten më shumë prova tek njerëzit, ata kërkojnë që fushatat e shëndetit publik të mos fokusohen vetëm te nënat.
Sipas ekspertëve, shëndeti i foshnjës fillon para konceptimit dhe është përgjegjësi e të dy prindërve. Për këtë arsye, reduktimi ose shmangia e alkoolit nga baballarët e ardhshëm mund të jetë një hap i rëndësishëm për një shtatzëni më të sigurt dhe një zhvillim më të shëndetshëm të fëmijës. /Gazeta Shneta/


