Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

“Kanceri nuk na përcakton” – Letra e fundit prekëse e mjekut revolucionar Richard Scolyer për australianët

Jetë 10/06/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

“Synimi im ishte që kjo letër të publikohej pas vdekjes sime – si lamtumira ime e fundit”, kishte shkruar studiuesi i njohur i kancerit.

Ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare Richard Scolyer, mjeku australian që tërhoqi vëmendjen e botës pasi iu nënshtrua një trajtimi eksperimental unik për një tumor agresiv në tru, duke përdorur mbi veten zbulimet shkencore që ai vetë kishte ndihmuar të zhvilloheshin.

Në letrën e tij të fundit lamtumirëse, të publikuar nga burimi The Guardian, studiuesi i njohur Scolyer i drejtohet popullit australian me një reflektim prekës mbi jetën, betejën me kancerin dhe karrierën e tij të shquar, duke kujtuar kontributin shumëvjeçar në shkencë, kërkimin mjekësor dhe edukimin e gjeneratave të reja të ekspertëve, transmeton Gazeta Shneta.

16 dhjetor 1966 – 7 qershor 2026

Bashkatdhetarët e mi australianë,

Po e shkruaj këtë letër si një lamtumirë të fundit për të gjithë ata/o që kam pasur privilegjin e jashtëzakonshëm t’i dua, të ndaj aventurat e jetës me ta/o, të punoj përkrah tyre dhe t’i njoh gjatë një jete që mund të përshkruhet vetëm si e mbushne me lumtuni, optimizëm, mundësi dhe pasion.

Synimi im është që kjo letër të publikohet pas vdekjes sime – si lamtumira ime e fundit. Gjatë tre viteve të fundit kam qenë i hapur dhe i sinqertë për rrugëtimin tim me glioblastomën (kancerin e trurit), pjesërisht për të treguar më qartazi se çfarë përjetojnë pacientët me kancer dhe familjet e tyre, dhe paskëtaj për të ofruar shpresë e frymëzim se ne mundemi dhe duhet të vazhdojmë të shtyjmë kufijtë – për ta çuar përpara fushën e studimit të kancerit.

Pasi ia kushtova 35 vite të jetës sime profesionale kujdesit për pacientët, kërkimit shkencor mbi kancerin dhe përmirësimit të jetëve të njerëzve, doja të vazhdoja të kontribuoja edhe në orët e mia më të errëta.

Jam jashtëzakonisht krenar për ndikimin tim – nga karriera ime e gjatë si patolog dhe studiues i melanomës me reputacion botëror, deri te fakti që u bëra pacienti i parë që mori një trajtim eksperimental për kancerin e trurit, të bazuar në shkencën e melanomës që ndihmova të zhvillohej; më pas mora pjesë në zhvillimin e një prove klinike për kancerin e trurit dhe avokova për më shumë investime në hulumtime për këtë sëmundje.

Shpresoj sinqerisht që të dhënat shkencore dhe ndërgjegjësimi që kam ndihmuar të krijohen – të shërbejnë si bazë mbi të cilën të tjerët do të ndërtojnë, për të bërë një ndryshim të vërtetë për pacientët e ardhshëm me kancer.

Ndoshta jam me fat që ndikimet fizike dhe njohëse të fazave të fundit të kancerit të trurit bëjnë që unë të mos kem qenë plotësisht i vetëdijshëm për përkeqësimin tim gjatë javëve të fundit!

E shkruaj këtë duke ditur se familja ime e mrekullueshme ka qenë pranë meje çdo minutë, ashtu si gjatë gjithë rrugëtimit tim me kancerin. Si për çdo familje që jeton me kancer, ndikimi nuk ka qenë vetëm mbi mua. Që nga diagnoza ime në maj 2023, familja jonë është përballur me sfida që nuk i kishim planifikuar e as dëshiruar. Por ato sfida na kanë afruar më shumë dhe na kanë rikujtuar se familja është gjithçka. Nuk mund ta falënderoj sa duhet gruan time të mrekullueshme, Katie, dhe fëmijët e mi të dashur, Emily, Matthew dhe Lucy, për dashurinë, mbështetjen, forcën dhe dhembshurinë e tyre. Ata janë shembuj të ndritur të më të mirës së njerëzimit dhe më bëjnë jashtëzakonisht krenar!

Shumë dashuri edhe për nënën dhe babanë tim të moshuar në Tasmani, vëllanë tim Mark dhe miqtë e shumtë për forcën dhe mbështetjen e tyre, veçanërisht gjatë këtyre viteve të fundit. Fëmijëria ime ishte plot aventura të ndërtuara mbi pyetjen “si”, jo “a do të ndodhë”, gjë që më vuri në rrugën e kureshtjes dhe besimit të vërtetë se asgjë nuk është e pamundur!

Nëse më lejoni një indulgjencë të fundit, shkrimi i kësaj letre më nxiti të reflektoj me krenari për rolin tim në krijimin e provave të reja shkencore që çuan përfundimisht në përparime shpëtimtare në diagnostikimin dhe trajtimin e melanomës. Ndihmova në themelimin e asaj që sot është banka më e madhe biologjike e melanomës në botë, u bëra patologu i melanomës me numrin më të madh të botimeve shkencore në botë – mbi 1.000 sosh dhe ligjërova qindra herë në konferenca anembanë globit. Jam gjithashtu krenar që kam mbajtur role udhëheqëse në Komitetin Amerikan rreth Kancerit, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare.

Përveç rolit tim në zhvillimin e përparimeve në trajtimin e melanomës, përfshirë imunoterapinë dhe rritjen e ndjeshme të mbijetesës në melanomën e avancuar, mentorimi i brezit të ardhshëm të mjekëve klinikë (përfshirë patologët) dhe studiuesve të kancerit ka qenë ndoshta shpërblimi më i madh i jetës sime profesionale. Gjithmonë jam udhëhequr nga bindja se të gjithë kemi përgjegjësinë të përpiqemi ta ndryshojmë të ardhmen për të tjerët dhe ta lëmë botën më të mirë.

Ndoshta mësimi më i madh nga këto tre vitet e fundit është se kanceri nuk na përcakton. Ai mund të jetë rruga që po ndjekim për momentin, por nuk është i gjithë udhëtimi ynë. Megjithatë, një diagnozë terminale sjell qartësi për atë që ka vërtet rëndësi. Ajo vë në qendër të vëmendjes rëndësinë e marrëdhënieve, miqësisë së vërtetë dhe altruizmit.

Mesazhi im i fundit për të gjithë australianët është një falënderim i thellë për dashurinë dhe mbështetjen që më keni dhënë mua dhe familjes sime.

Nëse trashëgimia ime do të vazhdonte përtej këtyre fjalëve, do të ndihesha i lumtur dhe i përulur të kujtohesha si një australian i zakonshëm, krenar, që “e provoi me gjithë zemër” dhe që, duke vepruar kështu, frymëzoi të tjerët të ndjekin ëndrrat dhe pasionet e tyre me përulësi, dashuri dhe dhembshuri.

Me shumë përzemërsi dhe mirënjohje,

Richard

/Gazeta Shneta/

 

 

Artikulli paraprakKomplikimet gjatë shtatzënisë mund të ndikojnë në shëndetin e zemrës së fëmijëve në të ardhmen
Artikulli i rradhës QKUK publikon rezultatet për 12 drejtorë të klinikave – këta janë kandidatët fitues

Ju sugjerojmë

Zbulimi që ndryshon gjithçka: Jo vetëm nënat, edhe baballarët mund të dëmtojnë foshnjën para konceptimit

10/06/2026 Jetë

Gratë preken më rëndë nga apnea e gjumit sesa burrat

10/06/2026 Jetë

Inteligjenca artificiale po transformon kujdesin shëndetësor, mjekët kursejnë javë të tëra pune

10/06/2026 Jetë

Studimi: Të hash pas orës 21:00 mund të dyfishojë rrezikun për çrregullime të tretjes

10/06/2026 Jetë

Nga peshorja te DEXA: Si po ndryshon mënyra e diagnostikimit dhe trajtimit të obezitetit

10/06/2026 Jetë

Paraziti mishngrënës alarmon SHBA-në, shënohen raste të reja te kafshët

10/06/2026 Jetë
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, PN, Prishtinë

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.