Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar të martën tre persona të dyshuar me inicialet A.A., S.D. dhe B.K.
Ata dyshohen për disa vepra penale, përfshirë: “Pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar”, “Financim të terrorizmit”, “Shpëlarje të parave”, “Mashtrim”, “Detyrim”, “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse”, si dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analogeve të tyre”.
“Aksioni policor u asistua nga autoritetet e FBI-së dhe nga autoritetet policore kanadeze (RCMP), të cilët, së bashku me prokurorin e rastit, kanë qenë të angazhuar në terren gjatë zhvillimit të aksionit. Ky aksion gjithashtu u mbështet nga zyra e OPDAT-it pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit special, personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.


