Prindërit nuk kanë nevojë të largojnë macen e familjes nga shtëpia për të mbrojtur fëmijët nga astma, sugjeron një studim i ri.
Sipas hulumtimit të publikuar më 9 qershor në revistën shkencore “Frontiers in Allergy”, jetesa me një mace nuk lidhet me përkeqësim të simptomave të astmës te fëmijët dhe adoleshentët, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
“Fëmijët që jetonin me një mace kishin nivele të ngjashme të ashpërsisë së astmës, përkeqësimeve të saj, kontrollit të sëmundjes dhe funksionit të mushkërive krahasuar me ata që nuk jetonin me mace,” tha autorja kryesore e studimit, Resthie Putri, studiuese postdoktorale në Institutin Karolinska në Stokholm.
Ajo shtoi se rezultatet nuk ndryshonin as në varësi të numrit të maceve në shtëpi, gjinisë së tyre apo moshës së kafshës.
Prej kohësh, shumë prindër kanë raportuar se qimet dhe alergjenët e kafshëve shtëpiake mund të shkaktojnë sulme të astmës, por studimet e deritanishme kanë dhënë rezultate të paqarta dhe shpesh kontradiktore.
Për këtë studim, shkencëtarët analizuan të dhënat shëndetësore të më shumë se 30 mijë fëmijëve dhe adoleshentëve suedezë deri në moshën 17-vjeçare, të lindur mes viteve 2006 dhe 2020, të diagnostikuar me astmë ose alergji të rrugëve të frymëmarrjes.
Rreth 9% e fëmijëve kishin të paktën një mace në shtëpi. Pas një ndjekje dyvjeçare, studiuesit nuk gjetën dallime domethënëse mes fëmijëve që jetonin me mace dhe atyre që nuk kishin.
Astma e moderuar deri e rëndë u shfaq në rreth 10% të të dy grupeve, ndërsa sulmet e astmës prekën afërsisht 3% të fëmijëve në secilin grup. Po ashtu, nuk u vunë re dallime të rëndësishme në funksionin e mushkërive.
Sipas studiuesve, një shpjegim i mundshëm është se ekspozimi ndaj alergjenëve të maceve është i zakonshëm edhe jashtë shtëpisë, në vende si shkollat apo transporti publik. /Gazeta Shneta/


