Federata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar bemotrizinolin (BEMT) për përdorim në kremrat kundër diellit që shiten pa recetë, duke shënuar miratimin e parë të një përbërësi të ri të këtij lloji në Shtetet e Bashkuara që nga vitet 1990.
Bemotrizinoli është një filtër kimik që thith si rrezet UVA ashtu edhe UVB – dy llojet kryesore të rrezatimit ultraviolet që dëmtojnë lëkurën dhe rrisin rrezikun e kancerit të saj. Ky përbërës përdoret prej dekadash në Evropë dhe tregje të tjera ndërkombëtare, ku ka ndërtuar një profil të mirë sigurie, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas vendimit të FDA-së, produktet që përmbajnë bemotrizinol do të mund të tregtohen në forma të ndryshme, përfshirë kremra, locione, xhele, vajra, shkopinj mbrojtës dhe sprej.
Një nga avantazhet kryesore të BEMT-së është fotostabiliteti i lartë. Ndryshe nga shumë filtra kimikë ekzistues, ai shpërbëhet shumë më ngadalë nën ekspozimin intensiv ndaj diellit, duke ofruar mbrojtje më të qëndrueshme për lëkurën.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se bemotrizinoli absorbohet shumë pak nga organizmi dhe mbetet kryesisht në sipërfaqen e lëkurës. Për shkak të rrezikut të ulët për irritim, FDA ka lejuar përdorimin e tij edhe te bebet mbi 6 muajsh.
“Bemotrizinoli do të ishte filtri i parë kimik UV që rekomandohet për bebet, për shkak të irritimit minimal që shkakton,” tha dermatologia Nisha Varadarajan nga Qendra “Memorial Sloan Kettering”, në Nju Jork.
Specialistët e shëndetit e kanë përshëndetur këtë vendim si një hap të rëndësishëm në luftën kundër kancerit të lëkurës. Sipas tyre, shtimi i opsioneve të sigurta dhe efektive për mbrojtjen nga dielli mund të ndihmojë në uljen e rasteve të kancerit që mund të parandalohen.
Prodhuesit do të lejohen të përfshijnë bemotrizinolin në produktet e tyre duke filluar nga 9 gushti. Fillimisht, ai pritet të dalë në tregun amerikan nën markën ‘Parsol Shield’, ndërsa pas 18 muajsh edhe kompani të tjera do të mund të përdorin këtë përbërës në formulat e tyre. /Gazeta Shneta/


