Një studim i ri sugjeron se semaglutidi, një nga barnat më të përdorura për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe humbjen e peshës, mund të ofrojë një përfitim shtesë të rëndësishëm: mbrojtjen e shëndetit të kockave.
Humbja e peshës te personat me diabet të tipit 2 shpesh shoqërohet me rritje të rrezikut për fraktura, pasi mund të përshpejtojë humbjen e masës kockore. Për këtë arsye, studiuesit analizuan të dhënat e mbi 35 mijë pacientëve për të krahasuar efektet e semaglutidit me barna të tjera për humbjen e peshës, shkruan burimi Medical News Today.
Rezultatet treguan se pacientët që përdornin semaglutid humbën më shumë peshë dhe kishin një rrezik 15% më të ulët për fraktura krahasuar me grupin që përdorte trajtime të tjera. Gjatë periudhës së ndjekjes, në grupin e semaglutidit u regjistruan 794 fraktura, ndërsa në grupin krahasues 1,045, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studiuesve, këto të dhëna sugjerojnë se semaglutidi mund të ketë efekte mbrojtëse ndaj kockave, pavarësisht humbjes së konsiderueshme të peshës që shkakton.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se studimi ishte vëzhgues dhe nuk mund të provojë drejtpërdrejt se semaglutidi ishte shkaku i uljes së rrezikut të frakturave. Ata theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar nëse përfitimi lidhet me vetë barnën apo me faktorë të tjerë.
Nëse rezultatet konfirmohen në studime të ardhshme, semaglutidi mund të bëhet një alternativë veçanërisht e vlefshme për pacientët me diabet të tipit 2 që kanë edhe rrezik të shtuar për osteoporozë ose fraktura.
/Gazeta Shneta/


