Valët ekstreme të të nxehtit kanë shkaktuar më shumë se 200 mijë vdekje në Evropë gjatë katër viteve të fundit, dhe pothuajse të gjitha këto humbje jete mund të ishin parandaluar me politika dhe masa mbrojtëse më efektive. Kështu ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke bërë thirrje për veprim urgjent përballë pasojave të ndryshme klimatike.
Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha se nxehtësia ekstreme është tashmë një nga shfaqjet më të rrezikshme dhe vdekjeprurëse të krizës klimatike. Sipas tij, valët e të nxehtit nuk janë më fenomene të rralla, por një krizë e përsëritur që po dëmton shëndetin e njerëzve dhe po vendos nën presion sistemet shëndetësore dhe infrastrukturën, raporton Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Evropa konsiderohet një nga rajonet më të prekura nga ngrohja globale. Të dhënat tregojnë se numri më i madh i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë është regjistruar në Itali, e ndjekur nga Spanja, Gjermania dhe Greqia. Ndërkohë, Greqia ka raportuar normën më të lartë të vdekjeve në raport me numrin e banorëve.
OBSH paralajmëron se rritja e temperaturave, urbanizimi i shpejtë dhe plakja e popullsisë po rrisin ekspozimin dhe ndjeshmërinë ndaj nxehtësisë, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese në vitet e ardhshme.
Për këtë arsye, organizata ka publikuar një version të përditësuar të udhëzimeve për planet e veprimit ndaj nxehtësisë.
Rekomandimet përfshijnë shtimin e hapësirave të gjelbra në qytete, krijimin e qendrave për freskim, mbështetjen e të moshuarve gjatë periudhave të nxehta dhe trajnimin e mësuesve e kujdestarëve për të identifikuar shenjat e sëmundjeve të shkaktuara nga temperaturat e larta.
Sipas OBSH-së, vetëm përmes veprimeve të koordinuara dhe planifikimit afatgjatë mund të reduktohen vdekjet dhe pasojat shëndetësore të valëve të të nxehtit që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Evropë. /Gazeta Shneta/


