Në zemër të një shpërthimi vdekjeprurës të Ebolës në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos, skena të rralla gëzimi po japin shpresë për komunitetet e goditura rëndë nga sëmundja, raporton BBC.
Kur 49-vjeçari Daniel Kitambala doli nga qendra e trajtimit në Mongbwalu, pasi dy teste konfirmuan se ishte shëruar nga Ebola, stafi mjekësor e përcolli me këngë dhe duartrokitje. Pas rreth tri javësh trajtim, ai u largua nga spitali i buzëqeshur dhe i lehtësuar.
“Ebola është një sëmundje e tmerrshme. Kur erdha këtu isha shumë i sëmurë, por tani jam mirë”, tha ai.
Provinca Ituri, epiqendra e shpërthimit aktual, ka regjistruar mbi 140 viktima. Autoritetet besojnë se virusi mund të ketë qarkulluar për muaj të tërë para se të identifikohej, duke vështirësuar kontrollin e situates, transmeton Gazeta Shneta.
Përveç sfidave mjekësore, autoritetet po luftojnë edhe kundër dezinformatave. Në disa komunitete vazhdon të ekzistojë besimi se Ebola lidhet me të ashtuquajturin “mallkimi i arkivolit”, ndërsa qendrat e trajtimit shpesh janë parë me dyshim. Në maj, një tendë për trajtimin e pacientëve me Ebola u dogj nga persona të nxitur nga thashethemet.
Megjithatë, rastet e shërimit po ndryshojnë gradualisht perceptimin e banorëve. Sipas drejtuesve të spitalit, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë ndihmë mjekësore sapo shfaqin simptoma.
Mjekët paralajmërojnë se puna nuk ka përfunduar. Për të ndalur përhapjen e virusit, duhet të identifikohen dhe monitorohen të gjithë personat që kanë pasur kontakt me të infektuarit.
Megjithatë, çdo pacient që shërohet përfaqëson një fitore të rëndësishme dhe një rreze shprese në një rajon që ka përjetuar shumë humbje. /Gazeta Shneta/


