Ndryshimet e stilit të jetesës gjatë shtatzënisë mund të ndihmojnë në parandalimin e diabetit gestacional, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “The BMJ”.
Studiuesit zbuluan se ndërhyrjet që përfshijnë aktivitet fizik, ushqyerje më të shëndetshme dhe mbështetje për zakone të shëndetshme mund të reduktojnë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të kësaj gjendjeje, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studimi analizoi të dhënat e 104 provave klinike të randomizuara që përfshinin gjithsej 35.993 gra shtatzëna.
Rezultatet treguan se ndërhyrjet në stilin e jetesës ulën rrezikun e diabetit gestacional me 10 deri në 20 për qind, në varësi të kritereve të përdorura për diagnostikim.
Efektet mbrojtëse u vunë re në shumicën e grave, pavarësisht moshës, peshës trupore apo karakteristikave të tjera. Megjithatë, përfitimet ishin më të kufizuara tek gratë me nivel më të ulët arsimimi, duke sugjeruar se faktorët socialë dhe edukativë mund të ndikojnë në suksesin e këtyre programeve.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se programet e zhvilluara në grup dhe ato të udhëhequra nga profesionistë të trajnuar rishtazi kishin rezultate më të mira.
Ndër të gjitha llojet e ndërhyrjeve, aktiviteti fizik rezultoi strategjia më efektive për parandalimin e diabetit gestacional.
Diabeti gestacional është një formë e diabetit që shfaqet gjatë shtatzënisë dhe mund të rrisë rrezikun për komplikime si tek nëna, ashtu edhe tek foshnja.
Për shkak se rastet e kësaj sëmundjeje po shtohen në mbarë botën, ekspertët theksojnë rëndësinë e programeve parandaluese që nxisin aktivitetin fizik dhe zakonet e shëndetshme që në fillim të shtatzënisë.
Sipas autorëve të studimit, gjetjet ndihmojnë në identifikimin e metodave më efektive për të mbrojtur shëndetin e grave shtatzëna dhe të fëmijëve të tyre. /Gazeta Shneta/


