Barnat e njohura për humbje peshe, si Ozempic, Wegovy, Mounjaro dhe Zepbound, mund të ofrojnë përfitime që shkojnë përtej dobësimit dhe kontrollit të diabetit.
Një studim i ri sugjeron se këto medikamente mund të lidhen me një ulje të ndjeshme të rrezikut për zhvillimin e disa llojeve të kancerit të lidhura me obezitetin, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore të më shumë se 229 mijë personave obezë pa diabet. Rezultatet treguan se ata që përdornin barna të grupit GLP-1, me përbërësit semaglutid ose tirzepatid, kishin 41% më pak gjasa të zhvillonin kancer të lidhur me obezitetin krahasuar me personat që kishin marrë vetëm këshillim për dietë dhe aktivitet fizik.
Ulja më e madhe e rrezikut u vu re për katër lloje kanceri: kancerin e endometrit, mielomën multiple, kancerin e pankreasit dhe atë kolorektal, ku reduktimi i rrezikut arriti mbi 50%. Veçanërisht, rreziku për kancerin e endometrit ishte 58% më i ulët tek përdoruesit e këtyre medikamenteve.
Shkencëtarët besojnë se efekti mbrojtës mund të lidhet jo vetëm me humbjen e peshës, por edhe me uljen e inflamacionit kronik, përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që këto barna mund të kenë në disa qeliza kancerogjene.
Megjithatë, autorët theksojnë se studimi nuk provon se barnat parandalojnë kancerin.
Ekspertët kërkojnë hulumtime më afatgjata dhe më të detajuara për të konfirmuar nëse këto medikamente mund të përdoren në të ardhmen edhe si një mjet për parandalimin e kancerit tek personat me obezitet. /Gazeta Shneta/


