Shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit kanë zhvilluar vaksinën e parë në botë të projektuar me ndihmën e inteligjencës artificiale (IA), e cila ka kaluar me sukses fazën e parë të testimit te njerëzit. Vaksina synon të mbrojë kundër një grupi koronavirusesh të njohur si sarbekoviruse, ku përfshihen edhe SARS-i dhe SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19.
Ndryshe nga vaksinat tradicionale, të cilat krijohen për t’iu përgjigjur varianteve ekzistuese, kjo vaksinë përdor një qasje parashikuese.
Inteligjenca artificiale analizoi koronaviruse të ndryshme dhe krijoi një “superantigjen”, duke identifikuar elementet e përbashkëta që ndryshojnë shumë pak me kalimin e kohës. Kjo mund ta bëjë vaksinën efektive jo vetëm kundër varianteve aktuale, por edhe ndaj atyre që mund të shfaqen në të ardhmen, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Në studimin e parë morën pjesë 39 persona dhe rezultatet treguan se vaksina ishte e sigurt dhe e tolerueshme. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten prova shumë më të mëdha për të vërtetuar efektivitetin e saj. Aktualisht po zhvillohet një studim i dytë me rreth 200 pjesëmarrës.
Sipas studiuesve, inteligjenca artificiale nuk krijon vaksinën në mënyrë të pavarur, por ndihmon në identifikimin e objektivave më premtues biologjikë. E njëjta teknologji po përdoret tashmë për zhvillimin e vaksinave universale kundër gripit dhe Ebolës.
Ekspertët besojnë se kjo qasje mund të përshpejtojë ndjeshëm përgatitjen ndaj pandemive të ardhshme, duke ofruar mbrojtje më të gjerë kundër viruseve që ende nuk kanë evoluar në natyrë. /Gazeta Shneta/


