Inteligjenca artificiale po e ndryshon mënyrën se si mësojmë, punojmë dhe marrim vendime. Por një numër në rritje studiuesish paralajmërojnë se mbështetja e tepruar te chatbotët si ChatGPT mund të ketë pasoja të padëshiruara për kujtesën, kreativitetin dhe aftësinë tonë për të menduar në mënyrë kritike.
Një studim i kryer nga studiues të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT) analizoi aktivitetin e trurit te studentët gjatë shkrimit të eseve. Pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe: njëri përdori ChatGPT, tjetri kërkimin në internet dhe grupi i tretë punoi pa asnjë ndihmë teknologjike.
Rezultatet treguan se studentët që përdorën ChatGPT shfaqën deri në 55% më pak aktivitet në zona të trurit që lidhen me përpunimin e informacionit dhe kreativitetin. Për më tepër, shumë prej tyre kishin vështirësi të kujtonin atë që kishin shkruar dhe nuk ndiheshin autorë të vërtetë të punës së tyre, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Studime të tjera sugjerojnë se përdoruesit e inteligjencës artificiale priren të pranojnë përgjigjet e saj pa i analizuar kritikisht, një fenomen që disa ekspertë e quajnë “dorëzim kognitiv”.
Edhe profesionistët nuk janë imunë: një studim zbuloi se mjekët që mbështeteshin te një sistem inteligjence artificiale për diagnostikimin e kancerit të zorrës së trashë humbnin gradualisht aftësinë për ta identifikuar vetë sëmundjen.
Megjithatë, ekspertët nuk e shohin inteligjencën artificiale si armike. Ata rekomandojnë përdorimin e saj si një mjet që sfidon mendimin dhe jo si zëvendësues të tij.
Sipas tyre, mënyra më e shëndetshme është të ndërtojmë fillimisht njohuritë dhe analizën tonë, e më pas ta përdorim inteligjencën artificiale për të testuar, përmirësuar dhe zgjeruar idetë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se, ashtu si muskujt dobësohen pa ushtrime, edhe truri ka nevojë për sfida të vazhdueshme. Në të kundërt, varësia nga përgjigjet e gatshme mund të ndikojë negativisht në shëndetin tonë njohës afatgjatë. /Gazeta Shneta/


