Obeziteti nuk duhet të shihet më thjesht si një faktor rreziku, por si një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve që prekin zemrën, veshkat dhe metabolizmin. Ky është mesazhi kryesor i udhëzimit të ri klinik të publikuar nga Shoqata Amerikane e Zemrës dhe Kolegji Amerikan i Kardiologjisë.
Sipas ekspertëve, sindroma kardiovaskulare-renale-metabolike (CKM) përfshin një grup çrregullimesh të ndërlidhura, si sëmundjet e zemrës, sëmundjet kronike të veshkave, diabeti i tipit 2 dhe obeziteti. Vlerësohet se pothuajse 9 në 10 të rritur në Shtetet e Bashkuara kanë të paktën një komponent të kësaj sindrome, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Udhëzimi i ri thekson se yndyra e grumbulluar rreth organeve të brendshme, e njohur si yndyrë viscerale, paraqet rrezik të veçantë për shëndetin. Ajo nxit inflamacion kronik, rezistencën ndaj insulinës dhe dëmtimin e enëve të gjakut, duke rritur rrezikun për diabet, infarkt, goditje në tru, insuficiencë kardiake dhe sëmundje të veshkave.
Për këtë arsye, mjekët inkurajohen të flasin më herët me pacientët për peshën trupore si çështje mjekësore dhe jo estetike. Qëllimi është që ndërhyrja të nisë përpara se të shfaqen komplikacionet serioze.
Ekspertët rekomandojnë aktivitet të rregullt fizik, ushqyerje të shëndetshme, gjumë cilësor, shmangie të duhanit dhe kontroll të presionit të gjakut, sheqerit dhe kolesterolit. Në raste të caktuara mund të përdoren edhe barna moderne që, përveç kontrollit të diabetit, mbrojnë edhe zemrën dhe veshkat.
Sipas specialistëve, trajtimi i suksesshëm kërkon bashkëpunim të ngushtë mes kardiologëve, nefrologëve, endokrinologëve dhe mjekëve familjarë, duke e vendosur pacientin në qendër të vendimmarrjes. /Gazeta Shneta/


