Ministrat e Shëndetësisë të Bashkimit Evropian kanë shfaqur qëndrime të kundërta lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për zgjatjen me një vit të mbrojtjes së tregut për disa barna inovative, në kuadër të negociatave për Aktin e ri të Bioteknologjisë.
Sipas Euronews Health, Komisioni Evropian argumenton se masa është e nevojshme për të nxitur investimet në kërkim shkencor, prodhim dhe zhvillim të bioteknologjisë brenda Evropës, ndërsa një numër shtetesh anëtare paralajmërojnë se ajo mund të vonojë hyrjen në treg të barnave biosimilare dhe të rrisë kostot për sistemet shëndetësore.
Sipas propozimit, barnat që përmbajnë substanca të reja aktive, përdorin mekanizma të rinj veprimi, janë testuar në më shumë se dy vende të Bashkimit Evropian dhe kryejnë një pjesë të prodhimit në territorin e BE-së, do të përfitojnë një vit shtesë mbrojtjeje të të drejtave të tregut përmes certifikatave të posaçme mbrojtëse.
Komisioneri Evropian për Shëndetësi, Olivér Várhelyi, mbrojti propozimin duke theksuar se ai është i domosdoshëm për të siguruar qasjen e qytetarëve evropianë në terapi të reja dhe inovative.
Megjithatë, jo të gjitha vendet anëtare ndajnë të njëjtin qëndrim.
Malta shprehu rezerva duke argumentuar se zgjatja e monopolit mund të rrisë barrën financiare për shtetet me tregje të vogla dhe të thellojë pabarazitë në qasjen ndaj barnave inovative.
Sipas të dhënave të industrisë farmaceutike, Malta pati qasje në vetëm 17 barna inovative të miratuara ndërmjet viteve 2020 dhe 2023, krahasuar me 156 në Gjermani dhe 142 në Itali.
Edhe Estonia kërkoi që në diskutime të merret parasysh balanca mes inovacionit, përballueshmërisë së barnave dhe qëndrueshmërisë së sistemeve shëndetësore.
Ndërkohë, Polonia ngriti shqetësime për mungesën e një analize të plotë të ndikimit ekonomik të masës, duke paralajmëruar se ajo mund të ketë pasoja në konkurrencë, shpenzimet publike dhe disponueshmërinë e barnave.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve, shumica e vendeve u pajtuan për nevojën e thjeshtimit të procedurave të provave klinike ndërkombëtare, reduktimit të barrës administrative dhe forcimit të kapaciteteve prodhuese të bioteknologjisë në Evropë.
Njëkohësisht, disa shtete, përfshirë Francën, Poloninë, Hungarinë, Estoninë dhe Greqinë, kërkuan mbështetje më të madhe për barnat biosimilare, të cilat konsiderohen të rëndësishme për uljen e kostove dhe përmirësimin e qasjes së pacientëve në trajtime.
Në anën tjetër, Irlanda, e cila do të marrë presidencën e radhës së Këshillit të BE-së, ka bërë thirrje për përshpejtimin e negociatave mbi Aktin e Bioteknologjisë, duke vlerësuar se Evropa duhet të veprojë shpejt për të ruajtur konkurrueshmërinë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në këtë sektor strategjik.


