Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar antibiotikun oral Utebzi (tebipenem pivoxil) të kompanisë GSK për trajtimin e infeksioneve urinare të komplikuara, përfshirë edhe pielonefritin, një infeksion serioz i veshkave.
Ky vendim shënon një moment të rëndësishëm në luftën kundër baktereve rezistente ndaj antibiotikëve, pasi Utebzi është antibiotiku i parë oral i klasës së karbapenemëve i miratuar në Shtetet e Bashkuara, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Shneta.
Deri më tani, karbapenemët të konsideruar si ndër antibiotikët më të fuqishëm kundër infeksioneve bakteriale rezistente jepeshin vetëm në formë intravenoze, duke kërkuar shpesh shtrim në spital ose trajtim në qendra infuzioni. Miratimi i Utebzi pritet t’u mundësojë shumë pacientëve trajtim në shtëpi, duke ulur nevojën për hospitalizim dhe kostot e kujdesit shëndetësor.
Vendimi i FDA-së bazohet në studimin ndërkombëtar të fazës së tretë PIVOT-PO, ku morën pjesë 1,690 pacientë të shtruar në spital me infeksione urinare të komplikuara. Rezultatet treguan se trajtimi oral me Utebzi ishte po aq efektiv sa antibiotiku intravenoz imipenem-cilastatin, i cili konsiderohet standard i trajtimit për këto raste.
Infeksionet urinare të komplikuara prekin mbi 2.8 milionë persona çdo vit në SHBA dhe shpesh shkaktohen nga baktere shumërezistente ndaj barnave ekzistuese.
Ekspertët vlerësojnë se disponueshmëria e një karbapenemi oral mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën e menaxhimit të këtyre infeksioneve, duke ofruar një alternativë më të lehtë dhe më të përshtatshme për pacientët.
Sipas kompanisë GSK, Utebzi pritet të dalë në tregun amerikan deri në fund të vitit 2026. /Gazeta Shneta/


