Shteti jugor indian, Kerala, po përballet me një sfidë të re sociale: gjithnjë e më shumë të moshuar po jetojnë vetëm, pasi fëmijët e tyre largohen për punë ose studime brenda dhe jashtë vendit.
Për t’iu përgjigjur këtij realiteti, qeveria e Keralës ka krijuar një departament të posaçëm për mirëqenien e të moshuarve, i pari i këtij lloji në Indi. Synimi është që personat e moshuar të mund të vazhdojnë jetën në shtëpitë dhe komunitetet e tyre, pa qenë të detyruar të zhvendosen në institucione kujdesi, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Një shembull është çifti 70-vjeçar TO Dominic dhe MJ Martha, të cilët jetojnë vetëm pasi djemtë e tyre u larguan për punë. Ata flasin shpesh në telefon me fëmijët, por në rast nevoje mbështeten te fqinjët.
Kerala ka përqindjen më të lartë të të moshuarve ndër shtetet kryesore të Indisë. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2036, pothuajse një në katër banorë do të jetë mbi moshën 60-vjeçare. Plakja e popullsisë lidhet me përmirësimin e kujdesit shëndetësor, rritjen e jetëgjatësisë dhe emigrimin e vazhdueshëm të brezave të rinj.
Autoritetet planifikojnë zgjerimin e kujdesit në komunitet dhe në shtëpi, krijimin e qendrave ditore, parqeve dhe hapësirave për aktivitete fizike, si dhe trajnimin e kujdestarëve profesionalë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se infrastruktura nuk mjafton. Vetmia dhe izolimi social po bëhen ndër problemet më të mëdha të moshës së tretë. Për këtë arsye, po shqyrtohen rrjete vullnetarësh dhe programe komunitare, me qëllim që asnjë i moshuar të mos ndihet i braktisur apo i harruar, pavarësisht se ku jetojnë fëmijët e tij. /Gazeta Shneta/


