Pyetja nëse do të ishim të njëjtët persona po të ishim rritur në një vend tjetër ka qenë për shekuj në qendër të debatit shkencor dhe filozofik mes natyrës dhe edukimit. Hulumtimet moderne në psikologjinë ndërkulturore po tregojnë se identiteti ynë formohet nga një ndërthurje komplekse e gjenetikës dhe mjedisit ku rritemi.
Në thelb, ADN-ja jonë mbetet e njëjtë pavarësisht vendit ku jetojmë, por kjo nuk mjafton për të përcaktuar kush jemi. Studimet mbi binjakët identikë tregojnë se rreth 50% e dallimeve në tipare njerëzore mund të shpjegohen nga gjenetika, ndërsa pjesa tjetër vjen nga mjedisi dhe përvoja jetësore. Kjo do të thotë se personaliteti nuk është i shkruar plotësisht në gjenet tona, por as nuk formohet vetëm nga kultura, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët theksojnë se edhe tiparet si ekstroversioni apo inteligjenca janë pjesërisht të trashëguara, por ndikohen fuqishëm nga shoqëria. Një person mund të bëhet më i rezervuar ose më social në varësi të kulturës ku jeton, edhe nëse prirjet biologjike mbeten të njëjta.
Psikologët ndërkulturorë tregojnë se kultura ndikon thellë në mënyrën si e kuptojmë veten. Në shoqëritë perëndimore, njerëzit priren të mendojnë për veten si individë të pavarur me tipare personale, ndërsa në kulturat aziatike identiteti lidhet më shumë me rolet shoqërore dhe marrëdhëniet familjare.
Studime të ndryshme tregojnë gjithashtu se njerëzit nga kultura të ndryshme e interpretojnë botën ndryshe: disa fokusohen më shumë te individi, të tjerë te konteksti përreth tij. Kjo sugjeron se edhe mënyra si mendojmë është e formësuar nga ambienti kulturor.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto dallime nuk janë absolute dhe nuk mund të përgjithësohen lehtë, pasi brenda çdo kulture ekziston një variacion i madh individual.
Në fund, pyetja nëse “do të ishim të njëjtët” mbetet pjesërisht filozofike. Disa besojnë se identiteti ynë është i lidhur me trupin ose vetëdijen, të tjerë besojnë se identiteti ndërtohet plotësisht nga shoqëria dhe përvojat.
Ajo që duket e sigurt është se kush jemi, formohet në një ekuilibër të vazhdueshëm mes biologjisë dhe botës ku jetojmë. /Gazeta Shneta/


