Rreth 800 pacientë me sklerozë multiple diagnostikohen, trajtohen dhe monitorohen në Njësinë për Sklerozën Multiple (MS) të Klinikës së Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit të QKUK-së, njësia disponon një databazë të pacientëve me sklerozë multiple në Kosovë, ndërsa pacientët trajtohen me terapi imunomoduluese, përcjell Gazeta Shneta.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Klinika e Neurologjisë ka pranuar dhe trajtuar 1.006 pacientë.
Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 5.175 vizita neurologjike, 1.272 ekzaminime Doppler, 1.925 ekzaminime EEG dhe 1.139 ekzaminime EMNG.
Klinika ofron shërbim 24 orë në ditë për pacientët me insult cerebrovaskular, epilepsi, sklerozë multiple, sëmundje neurodegjenerative, sëmundje të nervave periferikë, sëmundje të muskujve dhe patologji të tjera neurologjike.
Sipas QKUK-së, në Njësinë për Trajtimin e Insultit Akut (Stroke Unit) tromboliza kryhet në mënyrë rutinore, ndërsa synim mbetet funksionalizimi i plotë i trombektomisë në bashkëpunim me Radiologjinë Intervente.
Po ashtu, Klinika është në vitin e dytë të aplikimit të terapisë VNS për trajtimin e epilepsive refraktare, në bashkëpunim me Neurokirurgjinë. Në njoftim thuhet se planifikohet rritja e numrit të pacientëve që do t’i nënshtrohen implantimit të stimuluesit të nervit vagus./Gazeta Shneta/


