Një grua 71-vjeçare është gjetur pa shenja jete në një bunar në fshatin Koshare të Ferizajt, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar se rreth orës 13:00 të së martës, Policia ka pranuar një njoftim se një grua kishte rënë në një pus (bunar) në fshatin Koshare.
Sipas tij, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë, ndërsa me ndërhyrjen e Brigadës së Zjarrfikësve trupi i viktimës është nxjerrë nga bunari.
Në vendngjarje ka dalë edhe ekipi i Emergjencës së Ferizajt, i cili ka konstatuar vdekjen e gruas 71-vjeçare.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore. Rasti është cilësuar “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e autopsisë.


