Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar projektligjin për vdekjen e asistuar, një nga nismat më të debatuara në vend, me 295 vota pro dhe 232 kundër, pavarësisht se ai ishte rrëzuar nga Senati në muajin janar.
Kryetarja e Asamblesë Kombëtare, Yaël Braun-Pivet, e cilësoi votimin si rezultat të një procesi disa vjeçar dhe një debati publik të zhvilluar me seriozitet dhe respekt.
Projektligji parashikon të drejtën për vdekje të asistuar për personat mbi 18 vjeç, shtetas ose rezidentë në Francë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda dhe të pashërueshme në fazë të avancuar ose terminale, me dhimbje të vazhdueshme që nuk mund të lehtësohen.
Një nga ndryshimet kryesore në versionin e fundit është se vuajtja vetëm psikologjike nuk do të jetë kriter për të përfituar nga kjo e drejtë. Gjithashtu, vetëm pacientët që nuk janë fizikisht në gjendje ta administrojnë vetë substancën do të mund të ndihmohen nga një mjek ose infermier.
Sipas projektligjit, një ekip profesionistësh shëndetësorë duhet të konfirmojë se pacienti plotëson të gjitha kriteret mjekësore dhe se kërkesa për vdekje të asistuar bëhet me vullnet të lirë.
Projektligji përfshin edhe një klauzolë ndërgjegjeje, e cila u jep të drejtë mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë të refuzojnë pjesëmarrjen në këtë procedurë, por i obligon ata ta referojnë pacientin te një profesionist tjetër.
Nisma ishte propozuar fillimisht në vitin 2024 dhe ishte miratuar nga Asambleja Kombëtare në maj 2025, por u refuzua nga Senati në janar të këtij viti. Pas dështimit për arritjen e një kompromisi mes dy dhomave të Parlamentit, projektligji iu rikthye Asamblesë Kombëtare, e cila e miratoi sërish.
Tashmë ai do të rikthehet për shqyrtim në Senat. Nëse dy dhomat nuk arrijnë sërish një marrëveshje, Asambleja Kombëtare do të ketë fjalën përfundimtare për miratimin e ligjit.


