Klinika e Biokimisë Mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) u ofron çdo ditë shërbime laboratorike deri në 700 pacientëve, duke luajtur rol kyç në diagnostikimin dhe monitorimin e sëmundjeve.
Sipas të dhënave të QKUK-së, brenda një dite në këtë klinikë përpunohen mostrat biologjike të rreth 100 deri në 150 pacientëve ambulantorë dhe 400 deri në 550 pacientëve të hospitalizuar, pa përfshirë pacientët në programin e dializës, transmeton Gazeta Shneta.
Në Klinikën e Biokimisë Mjekësore realizohen analiza biokimike, hematologjike, imunologjike, hormonale, tumorale, virale, autoimune, të hemostazës dhe koagulimit, të cilat shërbejnë për diagnostikimin dhe monitorimin e pacientëve në të gjitha klinikat e QKUK-së.
Shërbime laboratorike 24-orëshe ofrohen në Klinikën Emergjente, Klinikën Infektive, Kirurgji dhe Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, ndërsa klinika mbulon edhe Laboratorin e Skriningut Neonatal, i cili ka nisur punën e rregullt gjatë vitit të fundit.
Sipas QKUK-së, analizat realizohen me platforma moderne diagnostike, të njëjta me ato që përdoren në qendra të avancuara shëndetësore./Gazeta Shneta/


