Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ritheksuar se vaksinimi kundër virusit të papillomës humane (HPV), i kombinuar me depistimin e rregullt dhe trajtimin në kohë të lezioneve parakanceroze, mbetet strategjia më efektive për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
Sipas organizatës, kjo është një nga format e rralla të kancerit që mund të parandalohet pothuajse plotësisht përmes masave të duhura të shëndetit publik, transmeton Gazeta Shneta.
OBSH thekson se pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës shkaktohen nga një infeksion i vazhdueshëm me tipe të rrezikut të lartë të HPV-së, një virus shumë i zakonshëm që transmetohet përmes kontaktit seksual.
Edhe pse shumica e infeksioneve zhduken vetvetiu, në disa raste virusi vazhdon të qëndrojë në organizëm dhe me kalimin e viteve mund të shkaktojë ndryshime parakanceroze që zhvillohen në kancer.
Sipas OBSH-së, vaksinimi është më efektiv kur administrohet para ekspozimit ndaj virusit, prandaj rekomandohet kryesisht për vajzat në moshën 9–14 vjeç, ndërsa shumë vende kanë zgjeruar programet e imunizimit edhe për djemtë, me qëllim uljen e qarkullimit të virusit në popullatë dhe mbrojtjen nga sëmundje të tjera të lidhura me HPV-në.
Megjithatë, organizata thekson se vaksinimi nuk e zëvendëson depistimin. Gratë duhet të vazhdojnë kontrollet e rregullta me testet e rekomanduara, pasi depistimi mund të zbulojë ndryshimet parakanceroze shumë përpara se ato të zhvillohen në kancer.
Zbulimi dhe trajtimi në fazat e hershme rrisin ndjeshëm mundësinë e shërimit dhe ulin vdekshmërinë.
OBSH vazhdon të promovojë strategjinë globale 90-70-90 për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës si problem i shëndetit publik.
Objektivi është që deri në vitin 2030, 90% e vajzave të vaksinohen plotësisht kundër HPV-së deri në moshën 15-vjeçare, 70% e grave të depistohen me një test cilësor deri në moshën 35 vjeç dhe përsëri deri në moshën 45 vjeç, ndërsa 90% e grave me lezione parakanceroze ose kancer të marrin trajtimin e nevojshëm.
Sipas të dhënave të OBSH-së, çdo vit regjistrohen rreth 660 mijë raste të reja të kancerit të qafës së mitrës dhe rreth 350 mijë gra humbin jetën nga kjo sëmundje në mbarë botën.
Shumica e këtyre rasteve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku qasja në vaksinim, depistim dhe trajtim mbetet e kufizuar./Gazeta Shneta/


