Pacienti i parë i diagnostikuar me virusin Ebola në Francë është shëruar dhe është liruar nga spitali, ka njoftuar ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist.
Bëhet fjalë për një mjek humanitar, i cili rezultoi pozitiv me Ebola pasi mbërriti në Francë më 23 qershor nga Republika Demokratike e Kongos, vend që po përballet me një shpërthim të madh të kësaj sëmundjeje.
Sipas ministres, pacienti rezultoi negativ në dy teste PCR, çka konfirmoi shërimin e tij dhe bëri të mundur kthimin në shtëpi.
Autoritetet thanë se mjeku kishte udhëtuar me një fluturim të Air France dhe kishte shfaqur vetëm simptoma të lehta, kryesisht dhimbje koke. Pesë pasagjerë të tjerë që udhëtuan me të u identifikuan si kontakte të mundshme dhe u vendosën në izolim si masë parandaluese.
Ministrja Rist theksoi se pacienti mori trajtim dhe u mbajt nën monitorim të rreptë, në përputhje me protokollet shëndetësore.
Virusi Ebola shkakton ethe hemorragjike dhe mund të jetë fatal, megjithëse nuk konsiderohet shumë ngjitës. Ai transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun ose lëngjet trupore të një personi të infektuar.
Sipas të dhënave më të fundit, shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka shkaktuar të paktën 452 viktima, ndërsa autoritetet shëndetësore po vijojnë përpjekjet për të frenuar përhapjen e virusit.


