Mbi 200 mijë prezervativë të falsifikuar, të importuar nga Kina dhe të deklaruar rrejshëm si lodra, janë zbuluar në Evropë, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin seksual të konsumatorëve, njoftoi Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
Sipas autoriteteve evropiane, produktet e falsifikuara shmangën kontrollet e Bashkimit Evropian për pajisjet mjekësore dhe mund të rrisin rrezikun e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, shtatzënive të paplanifikuara dhe ekspozimit ndaj materialeve apo substancave të pasigurta, shkruan Euronews Health, transmeton Gazeta Shneta.
Në Bashkimin Evropian, prezervativët klasifikohen si pajisje mjekësore dhe duhet të plotësojnë standarde të rrepta për sigurinë dhe cilësinë, përfshirë kontrollin e ndotjes mikrobiale, biokompatibilitetin, rezistencën ndaj rrjedhjes, dimensionet, afatin e përdorimit dhe qëndrueshmërinë. Sipas OLAF-it, produktet e falsifikuara nuk i kanë kaluar këto kontrolle.
“Prezervativët e falsifikuar janë të rrezikshëm. Ata janë të patestuar, të pakontrolluar dhe të pasigurt”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OLAF-it, Petr Klement.
Autoritetet sekuestruan prezervativët, me një vlerë të përgjithshme prej mbi 200 mijë euro, gjatë operacioneve të zhvilluara në Rumani, Serbi dhe Spanjë.
Sipas OLAF-it, produktet shiteshin duke përdorur emrin dhe logon e një marke të njohur, megjithëse institucioni nuk bëri publik emrin e markës, vendet ku janë shpërndarë produktet apo sa prej tyre kanë arritur te konsumatorët.
Në bashkëpunim me autoritetet kineze, OLAF identifikoi eksportuesin përgjegjës për dërgesat, por identiteti i tij nuk është bërë publik.
Autoritetet evropiane u bëjnë thirrje konsumatorëve të blejnë prezervativë vetëm nga shitës të autorizuar dhe të jenë të kujdesshëm ndaj produkteve me origjinë të dyshimtë, për të shmangur rreziqet për shëndetin seksual.


