Në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), që nga aplikimi i parë i procedurës së plazmaferezës në qershor të vitit 2025, janë trajtuar 19 pacientë dhe janë realizuar gjithsej 80 seanca të kësaj terapie.
Sipas njoftimit të QKUK-së, nga pacientët e trajtuar, tetë janë fëmijë nga Klinika e Pediatrisë, ndërsa 11 janë pacientë të rritur nga Klinika e Neurologjisë, Klinika e Hematologjisë, Klinika e Nefrologjisë dhe Mjekimi Intensiv Qendror.
Plazmafereza është një procedurë terapeutike gjatë së cilës largohet plazma e gjakut që përmban antitrupa, toksina ose substanca të tjera të dëmshme dhe zëvendësohet me lëngje të posaçme mjekësore. Kjo metodë përdoret në trajtimin e një game të gjerë sëmundjesh autoimune, neurologjike, hematologjike, nefrologjike dhe gjendjeve të tjera akute.
QKUK bën të ditur se procedura është aplikuar në trajtimin e pacientëve me diagnoza si purpura trombotike trombocitopenike, sindroma hemolitiko-uremike, anemia hemolitike e rëndë, miastenia gravis, nefropatitë autoimune, encefaliti autoimun, chorea minor, sindroma Guillain-Barré, mieliti autoimun, hepatiti fulminant dhe patologji të tjera që kërkojnë trajtim të specializuar.
Sipas institucionit, rezultatet e deritanishme tregojnë përmirësim të gjendjes klinike te shumica e pacientëve, ndërsa në disa raste plazmafereza është përdorur si terapi urgjente.
QKUK njofton se para vendosjes së këtij shërbimi, pacientët që kishin nevojë për plazmaferezë referoheshin për trajtim jashtë Kosovës.


