Pandemitë e reja do të vazhdojnë të shfaqen dhe kriza e ardhshme e madhe shëndetësore është vetëm çështje kohe, ka deklaruar profesori i Universitetit të Oksfordit, Adrian Hill, një prej studiuesve më të njohur të vaksinave në botë.
Në një intervistë për Euronews, Hill tha se bota është më e përgatitur sot për përballimin e shpërthimeve të reja epidemike krahasuar me periudhën para pandemisë COVID-19, por sfidat për shëndetin publik mbeten të mëdha.
“Epidemitë do të vazhdojnë. Ato ndodhin shpesh. Disa prej tyre as nuk i dëgjojmë, sepse kontrollohen shumë shpejt falë masave të shëndetit publik. Por afërsisht një herë në një dekadë shfaqet një epidemi që rezulton shumë më serioze”, tha Hill.
Mësimi kryesor nga pandemia COVID-19
Profesori britanik, i cili është bashkëthemelues i Jenner Institute në Universitetin e Oksfordit, vlerësoi se një nga mësimet më të rëndësishme nga pandemia ishte aftësia e komunitetit shkencor për të zhvilluar vaksina në një kohë shumë të shkurtër.
“Sot e dimë se mund të zhvillojmë një vaksinë brenda një viti. Para COVID-19, edhe shumë ekspertë të njohur mendonin se një proces i tillë do të kërkonte disa vite”, deklaroi ai.
Sipas Hill, infrastruktura e krijuar gjatë viteve të fundit u ka mundësuar vendeve të identifikojnë më shpejt patogjenët e rinj, të zhvillojnë vaksina dhe të organizojnë prova klinike në kohë më të shkurtër.
Dezinformimi mbetet një sfidë për vaksinimin
Duke folur për rritjen e mosbesimit ndaj vaksinave pas pandemisë së koronavirusit, Hill tha se edukimi është mënyra kryesore për të luftuar informacionin e rremë.
“Përgjigjja ndaj dezinformimit, me një fjalë të vetme, është edukimi”, u shpreh ai, duke shtuar se shumica e njerëzve tashmë e kuptojnë rolin vendimtar që vaksinat patën në përballimin e pandemisë.
Vaksina kundër malaries, një arritje pas dekadash kërkimi
Hill u nderua në vitin 2026 me Çmimin Evropian të Shpikësit për zhvillimin e vaksinës R21/Matrix-M, një nga vaksinat e para shumë efektive kundër malaries.
Pas më shumë se tri dekadash kërkimi, vaksina ka treguar efikasitet rreth 80 për qind në mbrojtjen ndaj malaries.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gjatë vitit 2024 janë raportuar rreth 282 milionë raste me malarie dhe rreth 610 mijë vdekje në 80 vende të botës. Fëmijët nën moshën pesë vjeç përbëjnë pjesën më të madhe të viktimave në rajonin afrikan.
Zhvillimi i vaksinës R21/Matrix-M u konsiderua një hap i rëndësishëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje, pasi synon të përmirësojë reagimin e sistemit imunitar ndaj parazitit që shkakton malarien.
Sipas profesorit Hill, investimi i vazhdueshëm në kërkime shkencore, vaksinim dhe sisteme të forta të shëndetit publik mbetet thelbësor për përballimin e krizave të ardhshme shëndetësore./Gazeta Shneta/


