Një variant më i pasur me bimë i dietës mesdhetare mund të ofrojë përfitime shtesë për shëndetin metabolik dhe kardiovaskular. Një studim i ri sugjeron se dieta mesdhetare jeshile (Green-MED) mund të rrisë ndjeshëm nivelet e folatit në gjak dhe të përmirësojë disa tregues të rëndësishëm të shëndetit, madje edhe te personat me predispozita gjenetike që ndikojnë në metabolizmin e kësaj vitamine.
Dieta tradicionale mesdhetare bazohet në ushqime me bazë bimore, yndyra të shëndetshme të pangopura, proteina të dobëta dhe drithëra të plota, duke kufizuar mishin e kuq, sheqernat e shtuara dhe ushqimet e përpunuara. Ndërsa versioni Green-MED e çon këtë qasje edhe më tej, duke theksuar konsumimin e bimëve të pasura me polifenole dhe proteina bimore, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Gjetjet, të publikuara në revistën “Clinical Nutrition”, u bazuan në të dhënat e studimit klinik të randomizuar i ashtuquajturi “DIRECT-PLUS”, i cili krahasoi efektet e dietës Green-MED me dietën tradicionale mesdhetare dhe rekomandimet standarde për ushqyerje të shëndetshme.
Studiuesit zbuluan se personat që ndoqën dietën Green-MED kishin nivele më të larta të folatit në gjak. Rritja e kësaj vitamine u shoqërua me përmirësim të ndjeshmërisë ndaj insulinës, ulje të inflamacionit, profile më të shëndetshme të yndyrave në gjak, si dhe reduktim të yndyrës viscerale dhe asaj në mëlçi.
Folatet luajnë rol kyç në proceset biokimike që ndihmojnë në ndërtimin dhe riparimin e ADN-së, si dhe në rregullimin e aktivitetit të gjeneve. Nivelet e ulëta të folatit dhe çrregullimet në metabolizmin e tij janë lidhur me rritje të homocisteinës, inflamacion, probleme të enëve të gjakut dhe rrezik më të lartë kardiometabolik.
Sipas studiuesve, dieta Green-MED tregon se zgjedhjet ushqimore mund të ndikojnë jo vetëm në shëndetin e përgjithshëm, por edhe në mënyrën se si funksionojnë disa procese biologjike dhe gjenetike në trup. /Gazeta Shneta/


