Një aplikacion i zhvilluar për telefonat inteligjentë, i cili analizon ndryshimet në zërin e pacientëve, mund të zbulojë shenjat e para të përkeqësimit të astmës dhe sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (COPD) deri në tre ditë përpara se simptomat të bëhen të dukshme.
Studiuesit vlerësojnë se teknologjia mund të ndihmojë në trajtimin më të hershëm dhe të zvogëlojë nevojën për shtrime në spital.
Studimi u realizua nga një ekip i studiuesve të Universitetit të Maastrichtit në Holandë dhe u publikua në revistën shkencore ERJ Open Research. Ai përfshiu 73 persona me astmë ose COPD, të cilët regjistruan zërin e tyre tri herë në ditë për tre muaj rresht duke përdorur një aplikacion të posaçëm në telefonin e tyre.
Gjatë së njëjtës periudhë, pjesëmarrësit raportuan edhe simptomat që përjetonin.
Gjatë monitorimit u regjistruan 38 episode të përkeqësimit të sëmundjes. Analiza tregoi se karakteristika të ndryshme të zërit, si lartësia e tonit, intensiteti dhe numri i pauzave gjatë të folurit, ndryshonin që në fazat e hershme të një krize respiratore.
Këto ndryshime u identifikuan përmes inteligjencës artificiale të integruar në aplikacion.
Sipas studiuesve, sulmet e astmës dhe COPD-së shpesh fillojnë në shtëpi, ndërsa pacientët nuk e kuptojnë menjëherë se gjendja e tyre po përkeqësohet.
Një sistem që paralajmëron herët mund t’u japë mundësi pacientëve dhe mjekëve të ndërhyjnë më shpejt, duke nisur trajtimin përpara se simptomat të bëhen të rënda.
Autorët theksojnë se aplikacioni është ende në fazën e kërkimit dhe nuk është pjesë e praktikës rutinë klinike.
Megjithatë, rezultatet konsiderohen premtuese për zhvillimin e mjeteve të reja të monitorimit në distancë të pacientëve me sëmundje kronike të mushkërive. Për të konfirmuar efektivitetin e tij nevojiten studime më të mëdha me një numër më të lartë pjesëmarrësish.


