Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po shqyrton masa të reja për të kufizuar tërheqjen e cigareve elektronike tek fëmijët dhe adoleshentët. Sipas propozimeve, produktet si vapingu mund të shiten me paketime standarde, pa ngjyra tërheqëse, ndërsa do të kufizohen edhe përshkrimet e aromave dhe mënyra e ekspozimit të tyre në dyqane.
Ministria e Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, ka nisur një konsultim publik 12-javor për ndryshimet e propozuara, të cilat synojnë t’i afrojnë rregullat për cigaret elektronike me ato që zbatohen prej vitesh për produktet e duhanit.
Sipas planit, pajisjet me avuj si vape do të lejohen të shiten vetëm në ngjyra neutrale si e bardha, e zeza ose gri, ndërsa dyqanet nuk do të mund t’i ekspozojnë ato në vende të dukshme për klientët, raporton The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Një tjetër masë parashikon kufizimin e emrave të aromave. Sekretari britanik i Shëndetësisë, James Murray, deklaroi se paketimet shumëngjyrëshe dhe emërtimet tërheqëse janë krijuar në mënyrë që të tërheqin të rinjtë, gjë që sipas tij duhet të marrë fund.
Sipas të dhënave të organizatës Aksioni mbi Duhanpirjen dhe Shëndetin (ASH), gati një në pesë të rinj të moshës 11 deri në 17 vjeç në Britani ka provuar të paktën një herë cigaren elektronike.
Ekspertët e shëndetit publik e kanë mirëpritur konsultimin, duke theksuar se vetëm rregullat e forta mund t’i mbrojnë fëmijët nga varësia ndaj nikotinës. Ata paralajmërojnë se paketimet shumëngjyrëshe dhe dizajni tërheqës kanë luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e përdorimit të vape-ve tek të miturit.
Ministria e Shëndetësisë propozon gjithashtu që paketimet të jenë të bardha, me kufizime të rrepta për logot, ilustrimet, ngjyrat e tekstit dhe informacionin e produktit. Kjo masë bazohet në suksesin që pati futja e paketimit standard për cigaret tradicionale në Britani që nga viti 2017.
Ndryshimet nuk do të kufizohen vetëm te cigaret elektronike. Propozimet përfshijnë edhe vendosjen e fletëpalosjeve brenda pakove të cigareve me informacione se ku duhanpirësit mund të kërkojnë ndihmë për ta lënë duhanin, si dhe zbatimin e paketimit standard për të gjitha produktet e duhanit, përfshirë purot dhe letrat për cigare. /Gazeta Shneta/



