Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani ka inkasuar mbi 1 miliard e 7 milionë euro të hyra, duke shënuar një rritje prej 5.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur të hyrat ishin 955 milionë euro.
Sipas Doganës, rritja lidhet me performancën e qëndrueshme ekonomike, bashkëpunimin me sektorin privat, respektimin e detyrimeve ligjore nga bizneset dhe shtimin e efikasitetit në luftimin e ekonomisë joformale.
Institucioni ka veçuar edhe zbatimin e sistemit të deklarimit të mallrave para mbërritjes së tyre, i cili ka hyrë në funksion pas shtetëzimit të plotë të terminaleve doganore dhe heqjes së pagesave për përdorimin e tyre.
Sipas Doganës, rezultatet e para të këtij sistemi janë pozitive dhe janë pritur mirë nga komuniteti i biznesit.



