Rreth 70 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të QKUK-së nga data 10 deri më 13 korrik, pasi kanë shfaqur simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.
Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientët janë paraqitur me ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diare, ndërsa simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit, transmeton Gazeta Shneta.
Nga rastet e paraqitura, 22 pacientë janë hospitalizuar dhe po trajtohen nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore. Sipas QKUK-së, gjendja e tyre vazhdon të kërkojë trajtim dhe monitorim.
Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse, në përputhje me procedurat në fuqi. /Gazeta Shneta/



