Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Mbretërisë së Bashkuar (NHS) nuk arrin të kryejë rreth 1.5 milion operacione dhe procedura mjekësore në vit për shkak të mungesës së theksuar të anesteziologëve, zbulon një raport i ri.
Më shumë se tetë milion pacientë në Angli, Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut ndodhen aktualisht në listat e pritjes, ndërsa shumë prej tyre kanë nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale, shkruan The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Sipas raportit të përgatitur nga Kolegji Mbretëror i Anesteziologëve, Mbretërisë së Bashkuar i mungojnë 2,256 anestezistë, çka pengon kryerjen e rreth 4,000 operacioneve çdo ditë.
Anesteziologët janë mjekë specialistë që kujdesen për anestezinë dhe kontrollin e dhimbjes para, gjatë dhe pas operacioneve, duke luajtur një rol thelbësor në çdo ndërhyrje kirurgjikale.
Raporti thekson se mungesa e tyre po pengon përpjekjet e NHS për të ulur listat e gjata të pritjes, ndërsa vonesat po ndikojnë negativisht në shëndetin fizik dhe mendor të mijëra pacientëve.
Përveç kufizimit të kapaciteteve të spitaleve, mungesa e specialistëve po rrit edhe kostot, pasi institucionet shëndetësore detyrohen të punësojnë mjekë të përkohshëm ose të zhvendosin personelin për të mbuluar boshllëqet.
Edhe pse numri i anesteziologëve është rritur lehtë vitet e fundit, raporti vlerëson se ai mbetet rreth 16% më i ulët se nevojat reale. Mungesa më e madhe është te anestezistët konsulentë, niveli më i lartë profesional, ku regjistrohen rreth 1,640 vende të paplotësuara.
Një nga arsyet kryesore të krizës është numri i pamjaftueshëm i vendeve për specializim. Vitin e kaluar u regjistruan 6,770 aplikime për vetëm 539 vende trajnimi në anestezi.
Sipas raportit, 88% e drejtuesve klinikë të anketuar thanë se operacionet shtyhen për shkak të mungesës së anesteziologëve, ndërsa 43% deklaruan se kjo ndodh çdo ditë ose çdo javë.
Presidentja e Kolegjit Mbretëror të Anestezistëve, Dr. Claire Shannon, thotë se mungesa e specialistëve po vonon trajtimin e pacientëve dhe po vështirëson realizimin e objektivave afatgjata të qeverisë për përmirësimin e NHS.
/Gazeta Shneta/



