Kosova ka regjistruar gjithsej 63 raste të konfirmuara me fruth që nga mesi i muajit prill, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar edhe 11 raste të reja, njoftoi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Sipas përditësimit të publikuar nga IKShPK, periudha 16 prill deri më 13 korrik ka shënuar 63 raste të konfirmuara me fruth në nivel vendi, përcjell Gazeta Shneta.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë, me 19 raste, e pasuar nga Ferizaj me 12 raste, Fushë Kosova me 9 dhe Kaçaniku me 8 raste.
Ndërkaq, Lipjani ka raportuar 3 raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi kanë nga 2 raste secila. Me nga një rast janë evidentuar komunat Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se shfaqin simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë të lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten sa më shpejt në institucionet shëndetësore.
Instituti ka rikujtuar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, prandaj u bën apel prindërve dhe kujdestarëve të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.



