Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka formuar një komision hetimor për të shqyrtuar rastin e raportuar në Klinikën e Pediatrisë, ndërsa ka suspenduar përkohësisht një punëtor të shërbimeve teknike dhe ka marrë masa administrative ndaj katër infermierëve.
Në një njoftim, QKUK bëri të ditur se ka nisur një hetim administrativ pas shqetësimeve të ngritura publikisht nga një familje për trajtimin e fëmijës së tyre në Klinikën e Pediatrisë.
“QKUK ka pranuar me seriozitet shqetësimet e ngritura publikisht lidhur me përvojën e një familjeje gjatë trajtimit të fëmijës së tyre në Klinikën e Pediatrisë”, thuhet në njoftim.
Sipas QKUK-së, komisioni do të hetojë të gjitha rrethanat e rastit, duke përfshirë pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe lëshimet e mundshme në aspektin menaxherial dhe teknik.
QKUK njofton se gjatë verifikimeve fillestare janë konstatuar disa parregullsi. Për këtë arsye, janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin menaxherial dhe është suspenduar përkohësisht një punëtor i shërbimeve teknike.
“Sa u përket parregullsive të konstatuara menjëherë gjatë verifikimeve të kryera nga QKUK, përfshirë ato që pasqyrohen edhe në fotografitë e publikuara, janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin hierarkik menaxherial, si dhe është suspenduar përkohësisht punëtori i shërbimeve teknike”, thuhet tutje në njoftim.
Po ashtu, për të garantuar zhvillimin e paanshëm të hetimit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative edhe ndaj katër infermierëve.
QKUK ka bërë të ditur se pas përfundimit të hetimit do të publikojë gjetjet e komisionit dhe masat që do të ndërmerren./Gazeta Shneta/



